Edhe Rita Ora përfshihet në frymën e këngës “Si ai” – një mbështetje indirekte për suksesin viral të Taynës

Rita Ora ka befasuar fansat së fundmi duke shpërndarë në InstaStory një video të realizuar nga një faqe fansash ku ishte bërë ‘tag’, e ku në sfond dëgjohej kënga e Taynas, “Si Ai”.

Edhe pse nuk ka lënë një koment të drejtpërdrejtë, gjesti i yllit të famshëm është konsideruar nga shumë ndjekës si një përfshirje në valën e suksesit që po përjeton kjo këngë shqiptare, e cila është bërë virale në TikTok dhe në platformat e tjera muzikore.

Ky veprim i thjeshtë nga Ora, e cila numëron miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe ka një ndikim të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare, shihet si një mbështetje ndaj një tjetër artisteje shqiptare që po shkëlqen në industrinë e muzikës.

“Si Ai” ka arritur të depërtojë në tregje të reja dhe të jetë pjesë e sfidave e trendeve globale.

Me këtë veprim, bukuroshja nga Peja jo vetëm që përforcon lidhjet me komunitetin shqiptar, por edhe krijon ura bashkëpunimi e frymëzimi për artistët e rinj që synojnë sukses ndërkombëtar.

Prania e saj, edhe kur është e heshtur, është një dëshmi e vlerës që ajo u jep talenteve shqiptare dhe një motivim për ta për të vazhduar rrugën e artit me besim e ambicie.

Nga ana tjetër, ajo e ka theksuar në intervista të shumta krenarinë që ndjen për Kosovën dhe kulturën shqiptare, duke qenë një zë i fortë për vendin e saj në skena të mëdha ndërkombëtare.


Shtuar 18.06.2025 16:53

Tags: