Edhe Rama e pranon: Çmime katastrofike në Vlorë dhe Sarandë

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi këtë të mërkurë një takim me kryebashkiakët e vendit, ku foli për një sulm të organizuar kundër turizimit shqiptar. Shefi i qeverisë tha se platforma të caktuara në rrjete soiciale po shpërndajnë lajme të rreme për Shqipërinë dhe turizmin në mënyrë që të godasin zhvillimin e këtij sektori.

Megjithatë Rama pranoi që këtë vit ka një rritje të pajustifikueshme të çmimeve në qytetet kryesore turistike në jug të vendit. Rama kërkoi nga kryebashkiakët e Sarandës dhe Vlorës që të flasin me operatorët në mënyrë që të mos ketë një rritje galopante të çmimeve pasi kjo të dëmtojë turizmin në vijimësi për vitet e ardhshme.

“Në Vlorë Ermal dhe në Sarandë Olt, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është shumë e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’u thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, por kjo është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet t’u komunikohet dhe flitet që rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto të lartë vitin tjetër. Po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë tërë bota këtë sport, e kanë bërë në pjesë të caktuara dhe kanë marrë mbrapsht mësime të hidhura, por i kanë marrë vonë. Përpara sa të jetë vonë është e rëndësishme që t’u komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme, askush nuk mund t’ua imponojë, por ama është dhe çështje dijeje”, tha Rama.


Shtuar 17.07.2024 13:11