Fati i Ervis Martinajt mbetet mister. Biznesmeni i lojërave të fatit rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit të 2022, dhe pas 4 muajsh, ende nuk dihet nëse është gjallë apo ka vdekur.
Pas zhdukjes së tij dhe ngritjes së shumë aludimeve mbi këtë ngjarje, kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë më 7 shtator, duke i dhënë ultimatum Policisë së Shtetit, që të zbardhë misterin mbi fatin e të shumëkërkuarit.
Rama tha se është e papranueshme, që policia nuk di t’i thotë publikut nëse personazhi më i errët i botës së krimit është gjallë apo i vdekur, ndërsa theksoi se kjo dilemë duhet zbardhur menjëherë dhe se nëse Martinaj është vrarë, kjo i duhet bërë me dije publikut, e nëse jo duhet kapur për t’ju dorëzuar drejtësisë.
Këtë porosi Rama ia delegoi Muhamet Rrumbullaku i cili u emërua Drejtor i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit po atë ditë, raporton albu.com, duke i dhënë 100 ditë kohë.
“Gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm më vrasjet por dhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme, me gjithë vrasjet e Gushtit ky është viti me numrin më të ulët. Por ky Gusht dhe çfarë ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë, dhe të na ngrejë në këmbë drejt objektivave më ambiciozë për Policinë e Shtetit. Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë ”, tha Rama.
Por, sot rreth tre muaj pas këtij ultimatumi dhe 8 ditë larg mbarimit të tij, a ka Policia e Shtetit një përgjigje?
Mesa duket, Policia ende nuk e ka një përgjigje të provuar me fakte se çfarë ka ndodhur me personazhin e botës së krimit, më të komentuar të muajve të fundit. Në disa deklarata për media, të bëra nga Rrumbullaku, por dhe nga Rama, është deklaruar se Policia ka një përgjigje, por nuk ka ende prova të mjaftueshme për ta bërë publike.
Ndërkohë, sot, në emisionin “Pa Gjurmë”, ka folur xhaxhit i Ervis Martianjt, Faik Martinaj, deklaroi se nipin ia kanë vrarë dhe trupin e tij e kanë zhdukur. Sipas tij, ai është vrarë nga kundërshtarët politikë.
“Ai është vrarë dhe është zhdukur kufoma. Kundërshtarët politikë e kanë eliminuar. Hasmi nuk të zhduk xhenazen”, tha ai.
Ndërkohë që fati i Martinajt mbetet mister, pikëpyetja tjetër që na shtohet është se cili do të jetë fati i Muhamet Rrumbullakut nëse nuk ka një përgjigje deri më 7 dhjetor, do të shkarkohet apo do të vijojë detyrën si Drejtor i Policisë së Shtetit./albeu.com