Është gjetur në një banesë Ersida Dyrmishi, e cila rezultonte e zhdukur prej 25 korrikut 2022. Nëna e dy fëmijëve është gjetur në një banesë në Spitallë të Durrësit dhe ka deklaruar se është mbajtur peng gjatë gjithë kësaj kohe.
E reja u shpall e zhdukur pas denoncimit të familjarëve të saj se Ersida ishte larguar prej 25 korrikut nga banesa dhe që nga ajo ditë nuk kishin pasur më kontakte. Bashkëshorti i saj njoftoi policinë si dhe fotoja e gruas së zhdukur ishte shpërndarë në rrjete sociale për të kërkuar ndihmë për gjetjen e saj.
Policia ka arrestuar për pengmarrjen e saj, Marius Musaku, të cilin e akuzon se e mbante nën kërcënim të mbyllur në banesë. Ai është arrestuar në flagrancë dhe do të akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë. Musaku nga Lushnja ishte emër i njohur nga policia si person me precedentë të mëparshëm penalë për akuzën e “pengmarrjes”. Pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion për këtë ngjarje.
Njoftim policie
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një hotel, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.
Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com