“E thirrën për të dalë dhe e qëlluan për vdekje”, zbulohet si iu bë pritë në derë të shtëpisë Ismet Çekorjës në Shkodër

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e sotme në Shkodër, ku u vra me armë zjarri Ismet Çekorja 57 vjeç. Burime bëjnë me dije se ka qenë një person, i cili dyshohet se e ka thirrur për të dalë nga shtëpia. Pasi ka dëgjuar emrin e tij, ai ka dalë me pantofla dhe menjëherë është qëlluar me armë zjarri, vetëm pak metra larg banesës.

Ajo që nuk dihet ende është se nëse personi që e ka thirrur ka qenë i njëjti me atë që e ka qëlluar, apo kanë qenë dy persona të ndryshëm.

Kujtojmë se viktima është babai i Bajram Çekorjes, 24-vjeçarit të shpallur në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit me 25 gusht të këtij viti. Vetëm 4 ditë më parë, viktima doli në media dhe mohoi lidhjen e të birit me ngjarjen, duke thënë se në momentin e atentatit, djali i tij kishte qenë në një tjetër vend dhe këtë e ka demonstruar dhe me një video./albeu.com


Shtuar 2.09.2022 17:28