E qëlluan tri herë me pistoletë, flet 36-vjeçari i plagosur në Durrës: Më kanë ngatërruar, s’kam konflikte

Arbër Goreja, 36-vjeçari i cili mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Fllakë të Durrësit ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjera. Para hetuesve 36-vjeçari ka deklaruar se nuk e njeh personin që e qëlloi me armë zjarri.

Goreja është shprehur se një makinë tip “Ford” me portobagazh i është afruar dhe një person i ka qëlluar tri herë me pistoletë. Sakaq, 36-vjeçari mësohet se ka marrë një plumb në brinjë.

Sipas burimeve, 36-vjeçari ka shkuar i plagosur në komisariat dhe i ka kërkuar policëve që ta dërgojnë në spital për ndihmë mjekësore, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.

“Isha duke ardhur nga Fllaka për në Durrës. Në një moment mu afrua një makinë Ford i bardhë me portobagazh. Në ecje e sipër më erdhi paralel dhe më qelloi tri herë me pistoletë. Mua me kapi një plumb në brinjë.

Fillimisht nuk e kuptova pasi trupi ishte i ngrohtë. Më pas më nisi dhimbja. U tremba dhe me shpejtësi erdha në komisariat.

Makina më ndoqi disa metra dhe më pas ndaloi. Nuk e njihja personin që më qëlloi. Unë nuk kam konflikte të kalura me persona të tjerë. Ndoshta më kanë ngatërruar me ndonjë person tjetër.”-tha ai.


Shtuar 30.05.2025 23:29