E kapi Turqia, “baroni” i drogës nuk kërkohet vetëm nga Shqipëria, “kokën” e Rexhepit e do dhe Italia

Dritan Rexhepi, “mbreti” shqiptar i kokainës u arrestua mëngjesin e sotmë pas një megaoperacioni në Stamboll.

Sipas AA-së, Rexhepi ishte nën vëzhgimin e shërbimeve sekrete italiane, të cilat kanë informuar turqit për vendin ku jetonte.

Më pas, Drejtoria e Antidrogës në Stamboll ka kryer një operacion në mëngjes për arrestimin e tij pasi italianët e kishin zbërthyer të gjithë itinerarin e Rexhepit, raporton AlbEu.com.

Pritet që Rexhepi të ekstradohet në Itali pas arrestimit të sotëm në Stramboll, ndërkohë që nuk dihet se si ka mundur të dalë nga Ekuadori, ku ishte liruar nga burgu me ndalesën për të dalë jashtë vendit.

Kush është Dritan Rexhepi?

Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu.

Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës. Babai i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba-këmbës.

Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën ta fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike.

SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.

Sipas hetimeve, Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste Rexhepit e Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Dritan Rexhepi i ka hyrë botës së krimit në një moshë të re. Ai u arrestua disa vite më parë pasi kërcënonte një nga prokurorët e asaj kohe, pasi po hetohej për dy vrasje në Krujë.

Ai nuk konsiderohej kaq i rrezikshëm por ishte një student i Juridikut, i ardhur nga Vlora. Pasi u arratis nga paraburgimi, ai do të shndërrohej si një ndër personazhet e botës së krimit. Ai është regjistruar me emër të rremë në Ekuador.

Ai u dënua nga Ekuadori dhe u lirua më kusht. Po ashtu ai kërkohet dhe nga Italia për një seri krimesh dhe të ashtuquajturën kompania Bello. Ndërsa Turqia e akuzon për posedim të pasaportës false.

/Albeu.com


Shtuar 10.11.2023 11:51