E priste arrestimin? Si hoqi dorë nga mandati i PS-së Lefter Koka 9 ditë para betimit në Kuvend

Për dy vepra penale si “pastrim parash” dhe “shpërdorim detyre” është vënë në pranga sot ish-ministri Lefter Koka. Arrestimi i tij është bërë nga SPAK pas hetimit për dosjen aq shumë të denoncuar për inceneratorët në Shqipëri, fillimisht nga LSI, pastaj nga PD dhe Nisma Thurje.

Rikujtojmë se Koka i cili ka mbajtur detyrën e ministrit të Mjedisit, i ardhur nga LSI por në qeverinë e Ramës kandidoi në zgjedhjet e 25 Prillit për deputet në qarkun e Durrësit.

Nga këto zgjedhje, Koka doli fitues por hoqi dorë nga mandati i fituar vetëm 9 ditë para se të betohej për t’u futur në Kuvend. Asokohe, ish-ministri deklaroi se ka ardhur koha që të tërhiqet nga politika por të tërhiqet si fitues.

Duke falenderuar të gjithë ata që e votuan, Koka sqaroi se me vendimin e tij për të mos e marrë mandatin e deputetit është njohur edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Denoncimet në emër të Kokës janë bërë edhe para zgjedhjeve të 25 Prillit por nuk dihet nëse ai kishte indicie për këtë arrestim dhe këtë dosje të bujshme për të cilën priten arrestime të tjera në ditët në vijim.

POSTIMI I PLOTË:

2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.

Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël. Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet.

Sot, e ardhmja u përket atyre! Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë. Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua! Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.

Vijon… /albeu.com/