Një efektiv i policisë kufitare në Sarandë është arrestuar nga AMP, pasi akuzohet për shpërndarje droge.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Last Sunday”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë punonjësi i policisë Redjan Bello, me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë KufitareSarandë, si dhe një shtetas bashkëpunëtor i tij me iniciale S.V., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje, prodhim pa leje e armëve dhe municionit”.
Dy shtetasit e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shfrytëzuar një lokal “Beach Bar” në qytetin e Sarandës për të kamufluar veprimtarinë antiligjore, shpërndanin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa tek shtetas të ndryshëm duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare.
Gjithashtu në ambientet e lokalit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri e llojit pistoletë së bashku me municion, pa leje.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestrua një sasi lënde narkotike rreth 100 doza, një arme zjarri e tipit TT pa leje, dy aparate celulare, një automjet dhe një shumë monetare prej 555 euro, 20 pound dhe 20.000 lek.
Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë./Albeu.com/