“E duam Championsin, por s’na e ka fajin askush”, De Ligt: Respekt rivalëve edhe nëse nuk ia dalim

Në pritje për të njohur verdiktet për Europën, Seria A ka shpallur vlerësimet lidhur me çmimet “Gentleman 2020- 2021”. Futbollisti më xhentëlmen i Serisë A është zgjedhur 21-vjeçari Matajs de Ligt, një tjetër trofe për holandezin pas Kupës së Italisë, i cili ka mundur interistin Lautaro Martinez dhe Simone Kjaer, që fitoi trofeun “Gentleman”-i i Milanit (për sa i përket skuadrës së Interit vlerësimin e meritoi Nikolo Barela).

Ndërkohë, për sa u përket trajnerëve, kjo premio i shkoi Klaudio Ranierit, i cili dje shpalli edhe largimin nga stoli i Sampdorias për sezonin e ardhshëm, ndërsa një tjetër vlerësim shkoi për ish-mesfushorin e Juventusit, Klaudio Markizio (“Njeriu i Sportit”), “një shembull për t’u ndjekur brenda dhe jashtë fushe”.

FLET DE LIGT – Matajs de Ligt ishte protagonist i çmimeve “Gentleman”, me plot dy vlerësime, i pari si xhentëlmeni i Serisë A dhe i dyti si i Juventusit. Këto premio shtojnë edhe më shumë euforinë në pritje të së dielës, në prag të transfertës me Bolonjën dhe mësimit të verdiktit final mbi zonën Champions. Por, as kjo s’e bën 21-vjeçarin që të mos vazhdojë të qëndrojë me këmbë në tokë, duke konfirmuar edhe arsyen e çmimeve të merituara:

“Jam i lumtur, shumë… Falënderoj të gjitha gazetarët që më kanë votuar, por ajo që do të doja tani e në vazhdim është që të rishihja tifozët në stadiume. Ata janë pasioni i këtij sporti, ndonëse unë jam profesionist dhe jam gati që të luaj edhe pa ata. Fundja, mua më pëlqen shumë të luaj, – bën hyrjen e tij De Ligt, i cili më pas flet me përulësi edhe për vediktin e fundit që pritet të japë fusha.

– Jam i lumtur për vlerësimet e marra, sepse është e rëndësishme që përveç komplimenteve për cilësitë që mund të kem si futbollist, të kem edhe respektin e të gjithëve, duke nisur nga media, por sidomos nga sportdashësit. Kjo është ajo që e bën të bukur këtë sport, sepse kur luan futboll, përpara 50-60-80 mijë vetave çdo javë, duhet të jesh një shembull brenda dhe sidomos jashtë fushe.

E dimë që në sport duhen arritur objektiva, por të fajësosh, të shfrysh ndaj rivalëve, apo akoma më keq, ndaj arbitrave është diçka e gabuar. Jemi të gjithë pjesë e kësaj loje dhe për të gjithë duhet pasur respekt. Kush fiton në fund, meriton rezultatin që arrin.

Çfarë presim pas sfidës me Bolonjën? Duam të shpresojmë që do t’ia kemi dalë të sigurojmë një vend në Champions. Përndryshe, respekte Interit për titullin dhe Milanit, Napolit e Atalantës për kualifikimin mes katër të parave”, përfundoi mbrojtësi i Juventusit.

Shtuar 23.05.2021 11:41