“E besoj Gjikurinë për atë që më tha në telefon”, Vangjel Tavo fton kundërshtarin për t’u sqaruar pas zgjedhjeve në Himarë

Në pritje të certifikimit të rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhor, Vangjel Tavo i ka idetë e qarta se çfarë do bëjë me Himarën. Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së qytetit bregdetar në një intervistë për Top Channel tregon se kush e telefoni i pari pas fitores së thellë që korri më 4 gusht si dhe objektivat pasi të marrë çelësat e zyrës së kryebashkiakut të Himarës.

Elda Menga: Pas fitores kush ju telefonoi për t’iu uruar i pari?

Vangjel Tavo: Ajo që më bëri përshtypje ishte telefonata e z.Gjikuria që më uroi dhe e vlerësova shumë këtë telefonatë dhe mendova vërtet se duke qenë një person që gjysmën e jetës së tij ka jetuar jashtë ka ardhur me një frymë tjetër. Vazhdon të jetë ftesa në fuqi, që Gjikuria të ulet në karrigen e nënkryetarit të Bashkisë.

Menga: Po kur folët në telefon a morët një përgjigje për këtë ftesë?

Tavo: Nuk mora një përgjigje.

Menga: Pak minuta më vonë se shpallët fitoren, z.Gjikuria hodhi akuza se fitorja ishte nëpërmjet një procesi të manipuluar dhe se fitoi një kandidat që do i shërbejë kryeministrit.

Tavo: Përgjigja është rezultati i zgjedhjeve, afro 1500 vota diferencë. Unë u besoj atyre që dëgjoj me zë dhe figurë nga z.Gjikuria dhe jo ato që lexoj. Besoj atë që Gjikuria tha para procesit të numërimit se do ta njoh verdiktin e banorëve të Himarës, besoj te telefonata që më mori dhe uroj për fitoren, pjesa tjetër se kush e menaxhon dhe kush e dikton atë me shkrim nuk di çfarë t’ju them.//Top Channel


Shtuar 6.08.2024 23:32

Tags: ,