Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për një mësues të një fshati në Kaçanik. Gjithashtu dyshohet se më 28 gusht ai kishte sulmuar seksualisht një nxënëse nën moshën 16-vjeçare në shkollë. Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte kërkuar masën e paraburgimit për mësuesin R.Xh., por gjykata vendosi që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake e Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 28 gusht 2024, në një fshat të Komunës Kaçanik, përkatësisht në një objekt të shkollës fillore, për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën e mitur, e cila ishte nën 16 vjeç, në atë mënyrë që i pandehuri si arsimtar i muzikës, ka kryer sulm seksual ndaj të dëmtuarës, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara shkon në shkollë ku ishte nxënëse dhe hyn në një klasë ku zhvilloheshin orët e muzike, për tu përgatitur për një emision që kishte, posa vjen i pandehuri e dëmtuara ia zgjatë dorën për ta përshëndetur, por i pandehuri ia shtrëngon dorën e ofron nga vetja duke e mbërthyer me dy duar nga vetja, ashtu që me veprimet e tij të mëtejme i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale sulmi seksual. Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka refuzuar, për të cilën të pandehurit i cakton masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaj konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet nga gjykata.