Dyshohet se nga kampi Ashraf u kryen sulme kibernetike drejt Iranit, zbardhet dosja e SAPK për kontrollet në Manzë

Policia e Shtetit me urdhër të SPAK ditën e djeshme ka kryer kontrolle në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Banorët e kampit u përplasën me forcat e rendit. 15 efektivë u lënduan dhe po ashtu edhe nga radhët e muxhahedinëve pati persona të lënduar. Një prej tyre ndërroi jetë dhe paraprakisht raportohet se shkak ishte infarkti.

Në dosjen e SPAK,  argumentohet dhe ndërhyrja e policisë, për të ushtruar kontrolle dhe për të bllokuar disa pajisje elektronike, mes tyre laptopë.

Sipas BW, në dosje thuhet se ka dyshime që nga organizata MEK, ishin kryer sulme kibernetike në drejtim të Republikës Islamike të Iranit.

“Është referuar fakti se dyshohet se nga organizata “MEK” (Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit) nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK”, thuhet në vendimin e gjykatës./Albeu.com.


Shtuar 21.06.2023 13:53