Mirush Kabashi ka fituar betejën me sëmundjen. Pas disa viteve të vështira me shëndetin e tij, duket se aktori i mirënjohur tashmë i është rikthyer jetës së mëparshme. Fotografi ynëka mundur ta fotografojë 74- vjeçarin në rrugët e Tiranës, ku shfaqet në një formë të mirë. Me kapele dhe syze dielli, ai është fotografuar në rrugët e ish-Bllokut, pas disa vitesh që i mungon ekranit.
Shkak për mungesën e tij të gjatë është bërë pikërisht sëmundja e tij. Rreth dy vite më parë, në media u publikua lajmi se ai ishte prekur nga një sëmundje e rëndë dheSE ishte në luftë për jetën. Madje, në atë kohë në rrjet qarkulluan edhe fotot e tij nga spitali, ku Kabashi shfaqej i ulur në një karrocë me rrota. Në postimet e shumta në “Facebook” thuhej se Kabashi sapo ka përfunduar radioterapinë pasi prej dy vitesh vuan nga një sëmundje e rëndë.
Vetëm pak kohë nga fotoja e tij në karrocë, qarkulloi edhe lajmi se në fakt aktori kishte ndërruar jetë. Fatmirësisht, ky lajm rezultoi të ishte i rremë dhe ishte vetë Kabashi ai që e përgënjeshtroi këtë lajm. Në një intervistë, aktori Mirush Kabashi theu heshtjen dhe zgjodhi që të fliste më shumë për të gjithë situatën e ndërlikuar që ndodhi në emër të tij. Ai u shpreh për mënyrën se si ky lajm e bëri që të ndihej.
“Unë e mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhet kaluar, por me thënë të drejtën, nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme, sepse thoshin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi, kështu e formulonte një poete nga Italia.Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që nuk ka ndodhur”.
Por, duket se këto ditë tashmë i përkasin së shkuarës dhe ai gëzon shëndet të plotë, duke vijuar jetën si një ndër aktorët më të dashur të skenës shqiptare./Panorama Plus