“Dumani ka folur për dy persona që u vranë në Belgjikë”, gazetarja: Nëse SPAK kryqëzon të dhënat arrin deri në rangjet e larta të politikës shqiptare

Gjatë emisionit “Pikat mbi i” të gazetares Klodiana Lala ka qenë vetë ajo e cila ka deklaruar se informacionet që Nuredin Dumani kishte për ngjarje të shumta kriminale të ndodhura, ishin tepër të mëdha.

Lala tha se Dumani kishte folur për vrasje të ndodhura në Belgjikë dhe shtoi se nëse SPAK do të hetojë deri në fund të dhënat, mund të ketë një pistë që të çondrejt rangjeve të larta të politikës shqiptare.

Lala: Nuredin Dumani është një vrasës gjakftohtë nuk ka kursyer askënd që i ka dalë përpara dhe ka marrë porosi dhe ka vrarë përfshirë dhe gra, pavarësisht se përpiqet të justifikohet. Patjetër që duke qenë i pajtuar nga grupe të ndryshme kriminale si në Elbasan, Durrës, Tiranë, Shkodër, Lezhë, bëhet fjalë për qytete ku krimi gëlon, padiskutim që mund të ketë informacione. Mbetet në nivelin e mesëm.

Në rastin e Skerdilajd Konomit, fakti që është bërë shpërthim me tritol është shumë e vështirë të gjenden prova në vendin e ngjarjes, por nëse hetohet në harmoni me ngjarje të tjera të rënda që kanë tronditur më pas qytetin e Durrësit, siç është rasti i Eison Harizajt, mund të ketë prova që mund të çojnë në zbardhjen e këtij krimi.

SPAK do duhet ta ketë Dumanin si çelësin më të rëndësishëm në dorën e saj. Dumani flet për 2 emra konkretë në botën e krimit, Arjan Spahiu që njihet si Arjani i Vogël, i cili është vrarë në Belgjikë dhe pas tij është vrarë në Belgjikë një prej njerëzve më të afërt të grupit Çapja, Bledar Muça. Autoritetet belge kanë arritur të zbërthejnë telefonat e këtyre personazheve. Nëse do të kryqëzohen të dhënat SPAK ka mundësinë e artë të hapë kasafortën dhe të shkojë deri në rangjet e larta të politikës.
Në momentin që preken rangje të rëndësishme të politikës dhe jeta e prokurorit mund të jetë e rrezikuar.

Ndaj edhe Nuredin Dumani është një çelës dhe jo një armë. Mendoj që prokurorët e SPAK, kanë në duar mundësinë e tyre të artë jo vetëm për të goditur krimin e organizuar dhe për të shkëputur lidhjen me politikën por edhe për një mundësi më të mirë për vendin. Konfirmoj që Dumani ka folur për emra të caktuar të politikës dhe do të jem e kujdesshme për të qenë e balancuar. Sot ka një tendencë për zhvlerësuar dëshmitë e Nuredin Dumanit.


Shtuar 6.06.2022 15:34