“Duhet të flasim për detyrat e shtëpisë”, deklarata e Michel nxit reagime në Shkup

Deklaratat e krerëve të BE-së nga Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni interpretohen ndryshe nga partitë politike në vend, shkruan Alsat.

LSDM-ja thotë se kreu i Këshillit Evropian Sharls Mishel konfirmoi se BE-ja është e gatshme për zgjerim në përputhje me pritshmëritë e pushtetit, në vitin 2030. Andaj ata ftojnë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Ne duhet patjetër ta shfrytëzojmë këtë sinjal shumë të rëndësishëm nga BE-ja. Për ne si shtet që i ka nisur negociatat dhe që është duke e përfunduar skriningun është arsye shtesë për të cilën nuk guxojmë ta lëshojmë këtë mundësi. Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së për bllokim nuk guxojmë që të lejojmë të ndodhin, nuk guxojmë vetë të bllokojmë rrugën drejt BE-së, prandaj është e rëndësishme të sjellim vendim shtetëror për ndryshim të Kushtetutës”, tha Darko Kaevski, LSDM.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se deklaratat e Presidentit francez Emanuel Makron nga ana tjetër, dëshmon se ndryshimet kushtetuese nuk janë garancë për anëtarësim të plotë.

“Nga njëra anë e kemi këtë deklaratë kurse nga ana tjetër e kemi deklaratën e Makron i cili thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vërtetim për atë që e themi se absolutisht nuk ka asnjë garancë se edhe po të bëhen këto ndryshime, vendi do të vazhdojë drejt BE-së. Gabimi i qeverisë tonë është që të gjithë procesin e thuri shpejt dhe me premtime të cilat tani s’mundet t’i përmbushë”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Presidenti i Këshillit Evropian Mishel një ditë më parë tha se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim. Nga ana tjetër, presidenti francez Makron, tha se është e rrezikshme të mendohet për zgjerim der isa BE-ja nuk është reformuar.

“Duhet të flasim për kohën. Duhet të flasim për detyrat e shtëpisë. Kam një sugjerim, derisa e përgatisim agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, duhet t’i vendosim vetes një qëllim të qartë. Besoj se duhet të jemi gati, nga të dyja palët, deri në vitin 2030, për zgjerim”, theksoi Sharls Mishell, kryetar i Këshillit Evropian.

“Është rrezik të mendojmë se mund të zgjerohemi pa reformë. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të përparojë në tema të ndjeshme me 27 vende anëtare. Me 32 ose 35 anëtare, s’do të jetë më e lehtë”, tha Emanuel Makron, President i Francës.

Krerët e BE-së takuan krerët e vendeve në Ballkanit Perëndimor dhe folën për të ardhmen e rajonit në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni./ Alsat


Shtuar 29.08.2023 14:55