Një aksion antidrogë në portin e Durrësit ditën e djeshme çoi në sekuestrimin e 45 kilogramëve kokainë.
Kontejneri erdhi nga Amerika Latine dhe ishte i ngarkuar me mish pule. Mishi ishte porositur nga një subjekt tregtar në Maqedoninë e Veriut. Në pranga u vu, 30-vjeçari Arben Ferizi, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil si dhe Egert Vargu, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani.
Ish-drejtuesi i lartë i shtetit, Arben Hajdarmataj, në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Radarin Informativ” në Abc me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se vendi ynë është kthyer në një përpunues të kokainës dhe heroinës.
Hajdarmataj: Janë krijuar kushtet në portin e Durrësit. Ne si shtet jemi shndërruar në përpunues të drogave të rënda. Nuk mendoj që gjithë kjo sasi kokaine që kapet mund të jetë për konsum të brendshëm. Imagjino sa mund të ketë që nuk kapet ose aq më keq që lihet me dijeninë e plotë të organeve ligj-zbatuese dhe policisë së shtetit. Ne si vend jemi kthyer në përpunues të lëndës narkotike kokainë dhe heroinë. Pse ndodh arrestimi i njerëzve që janë sa më larg të lidhjes me drogën? Kemi arrestim shoferësh, administratorësh. Pse nuk e lëmë asnjëherë të shkojë droga në destinacion por e ndërpresim në mes. Sepse fundi ose koka ku do shkojë kokaina nuk janë as magazinierët, as administratorët, as shoferët. Janë të tjerë persona që kanë lidhje drejtpërdrejt me shtetin ose policinë e shtetit në rangje të larta.
Abc mëson se lënda narkotike e sekuestruar në portin e Durrësit kishte ardhur për dy grupe kriminale. Lënda narkotike ishte e ndarë në 40 pako dhe në secilën prej tyre ishte e vendosur nga një foto e filmave të animuar.
Kontejneri kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut. Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës prej 45.5 kg kokainë. Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 Maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një kontejnerë me qymyr që vinte nga Ekuadori. Raportohet se janë veçuar edhe kontejnerë të tjerë për kontroll të ardhur nga vende që njihen për trafik kokaine./Abcnews.al