Komisioneri Iljrian Celibashi, ka vendosur kryerjen e verifikimit të thelluar për kryebashkiakun socialist të Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm.
“Kryerjen e verifikimit të thelluar për Tonin Zef Marinaj, Kryetar në Bashkinë Malësi e Madhe, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, dhe dërgimin e të dhënave përkatëse Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësim të mëtejshëm. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm të verifikojë sipas ligjit të dekriminalizimit figurën e kryetarit aktual të bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj.
Sipas shkresës së drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, nga informacionet që disponohen nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Tonin Marinaj, me detyrë kryetar i bashkisë së Malsisë së Madhe, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik.
Kjo kërkesë, sipas shkresës, bëhet në kushtet kur ekzistojnë të dhëna dhe informacione, që ngrenë dyshimin e arsyshëm, se subjekti Tonin Marinaj, ka kryer veprimtari të paligjshme.
PD pretendon se në vitin 2025 Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me baza vepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale.
Sipas PD, në datën 12 maj 2016, Zyra e Gjykatës për Hetime Paraprake, pranë Gjykatës së Firences, me gjyqtar Angelo Antonio Pezzuti pasi ka shqyrtuar kërkesën për gjykim dhe provat në ngarkim të të pandehurve, ku sërish relatohet se Tonin Marinaj është drejtuesi, organizuesi dhe nxitësi i organizatës kriminale të angazhuar në trafikimin e lëndës narkotike të llojit mariuanë, ka vendosur caktimin e seancës gjyqësore paraprake në dhomë këshillimi në datën 13 tetor 2016.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi fillimin e menjëhershëm të verifikimit të thelluar të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit nga kryebashkiaku Marinaj, si dhe referimin e gjetjeve përkatëse, për hetime të mëtejshme pranë SPAK), për nisje të hetimeve për fshehje të të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimtari të tjera kriminale.