Shtyhet seanca e parë paraprake e dosjes “Metamorfoza”, në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion. Seanca e radhës u la më datë 24 maj ora 10.00, për shkak të mungesës së të pandehurit Xhevahir Lita dhe të avokatit të tij Arben Nela.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, dërgoi dosjen për gjykim në GJKKO për disa të pandehur, ndërkohë që ndau çështjen për disa të tjerë.
SPAK do të përfaqësohej në seancën e sotme nga dy prokurorët e saj, Altin Dumani dhe Arben Kraja, të cilët ishin të pranishëm.
Dosja ‘Metamorfoza’ u mbyll vetëm pak ditë më parë, ku SPAK dërgoi për gjykim në GJKKO 7 persona, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka, Behar Bajrin, ish-prokurorin Xhevahir Lita, apo ish-shefin e operacionales Oltion Bistri.
Por në fund të njoftimit, SPAK, thotë se ka veçuar dosjen për personat e tjerë që dyshohen si të implikuar, për të cilët nuk është ekzekutuar ende masa e sigurisë.
Në këtë listë bën pjesë dhe ish-bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili prej afro dy vitesh rezulton i humbur pa gjurmë.