Dosja e “SKYECC”/ Nga arratia kërkoi heqjen e masës arrest me burg, GJKKO vendos për Suel Çelën

Këtë të premte, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Suel Çela, për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Togat e zeza kanë lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Çelën të caktuar në maj të vitit 2022, pas operacionit “Plumbi i Artë”.

Gjithashtu, për Çelën është në fuqi edhe një masë e dytë sigurie ku ai akuzohet si drejtues i një organizate kriminale.

I shumëkërkuari i drejtësisë nga arratia i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kërkuar që t’i ndryshohet masa e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë kujtojmë se “i forti” i Elbasanit, u shpall në kërkim në maj të vitit 2022, pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ai akuzohet se ka dhënë urdhër për vrasjen e administratorit të shkollës private në Tiranë, Lulzim Masha si dhe për vrasjen e Elton Kilës i njohur si “Oti i Elbasanit”.

Kujtojmë se atentati ndaj Lulzim Mashës ndodhi në 18 janar 2022, ku një person qëlloi me armë zjarri ndaj makinës së tij, por fatmirësisht administratori arriti të shpëtonte.

Lidhur me ngjarjen u arrestua 31-vjeçari Skerdi Tasi, i cili u akuzua për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit.

Ndërkohë, javë më parë GJKKO caktoi një tjetër masë sigurisë “arrest në burg” Suel Çelës, si kreu i një organizate kriminale, pas zbardhjes së bisedave në SkyECC. Si rezultat i deshifrimit të bisedave në aplikacionin famëkeq të kriminelëve, SPAK arriti të “zbërthejë nga rrënjët”, organizatën kriminale të Suel Çelës.

Në kuadër të këtij megaoperacioni, policia mësyu më 25 nëntor të qytetin e Elbasanit për ekzekutimin e 19 urdhërarresteve. SPAK kërkoi dhe masat “detyrim paraqitje” për dy punonjësit të medias, gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha. Suel Çela kishte arritur që të “tërhiqte” pas vetes njerëz të drejtësisë dhe medias.


Shtuar 13.12.2024 10:38