Donte të lironte Viktor Ymerin, Gjykata vendos për fatin e ish-zyrtarit të burgut të Peqinit

Gjykata e Posaçme  (GJKKO) vendosi masën “arrest në burg” për Gani Shehun, ish-drejtorin Juridik të Burgut të Peqinit.

Shehu ka pranuar në gjykatë se ka qenë ai personi që ka përpiluar shkresën për Viktor Ymerin bazuar në komunikimet që ka pasur me shefat e burgjeve në lidhje me vendet ku ka kryer dënimin.

Sipas Shehut shkresa është firmosur edhe nga drejtori dhe nëse do të ishin gabim vendndodhjet e Ymerajt përgjatë viteve, mund ta kishte kthyer dhe atij i takonte verifikimi.

Kush është Viktor Ymeri?

Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizajn, i ekzekutuar në Durrës. Viktor Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Daja i Edison Harizajt

Ymeri është daja i Edison Harizajt, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës.

Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre Viktor Ymeri, për të cilin më 31 tetor 2018 ka vendosur t’i rrëzojë dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në 23 qershor 2017 nga Gjykata e Durrësit dhe ta dënojë atë përfundimisht me 25 vite burgim.

Pasi vuajti dënimin, Ymeri u lirua nga burgu në 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliu.

Ymeri është shpallur fajtor si një ndër autorët e kësaj vrasje./albeu.com

 


Shtuar 13.11.2021 11:01