Do të strehohej elita politike me në krye Enver Hoxhën, 501 dhoma e 5 kate nën tokë, njihuni me bunkerin anti-bërthamor në Tiranë (FOTO LAJM)

Në kohën kur Rusia po pushton Ukrainën, dhe presidenti Vladimir Putin po kërcënon Perëndimin edhe me përdorim të armëve bërthamore, shqiptarëve mund t’u vinë në mendje bunkerët, e sidomos ata anti-bërthamor të ndërtuar në nën tokë, në Tiranë dhe disa qendra të tjera të Shqipërisë.

Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore, pas Luftës së II’të Botërore, bëri që shumë shtete të mobilizoheshin për mbrojtje në rast të përdorimit eventual të tyre. Në këtë mes ishte edhe Shqipëria komuniste. Ajo ndërtoi 221 mijë e 143 bunkerë brenda një periudhe rreth dhjetëvjeçare, e më i famshmi është ai anti-bërthamor, i ndërtuar në periferi të Tiranës. Nëse eventualisht do të kishte luftë bërthamore, aty planifikohej të strehohej edhe elita politike shqiptare me në krye Enver Hoxhën.

Bunkeri antibërthamor në periferi të Tiranës, një ndërtim gjigand 5 kate nëntokë i ndërtuar nga Enver Hoxha gjatë viteve, ka 501 dhoma nën tokë, ku në rast lufte strehohej byroja politike.

Aty u ndërtuan apartamente, zyra, salla e madhe ku mblidhej shtabi i përgjithshëm madje edhe kuvendi popullore. Aty ishte vendosur edhe dhoma e gjumit për Enver Hoxhën, e edhe për Mehmet Shehun. Tash ky bunker shfrytëzohet si galeri ekspozite për periudhën komuniste të Shqipërisë.

Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1975 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976.

Brenda bunkerëve u vendosën kafshë të gjalla dhe më pas nisi bombardimi i zonës me armët më të rënda që kishte ushtria shqiptare. Në Sarandë u hodhën mbi 1000 predha artilerie dhe më pas aviacioni hodhi mbi 100 bomba 50kg, 250kg deri në 500kg. Bunkerët i rezistuan bombardimeve dhe kafshët brenda mbijetuan. Përpara se çështja të dërgohej për miratim në Këshillin e Lartë të Mbrojtjes, u bënë edhe eksperimente të tjera dhe të gjitha dolën me sukses. Më pas Byroja Politike vendosi atë që njihet si bunkerizimi i Shqipërisë.

 

Në 1971 Plenumi i 12 i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë i kryesuar nga Enver Hoxha filloi projektin e bunkerizimit të Shqipërisë, i cili qëndroi operativ nga 1975 deri më 1983: në këtë periudhë u planifikuan të ndërthoheshin 221 mijë e 143 bunkerë, por u ndërtuan vetëm 173 mijë e 371. Pas a shumë një në çdo 11 banorë. Gjatë periudhës së ndërtimeve, e cila zgjati 8 vjet, me një mesatare mbi 21 mijë bunkerë të ndërtuar në vit, vdiqën me qindra ushtarë e civil për shkak të aksidenteve në punë. /Reporteri.net


Shtuar 2.03.2022 13:32