Djegia e flamujve serb në Tiranë, Policia nis ndëshkimet për protestuesit (VIDEO)

Ditën e sotme në Tiranë u mbajt një protestë e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha kundër ardhjes në Shqipëri të Presidentit serb Vuçiç dhe “Open Balkan” si nismë.

Gjatë kësaj proteste ndodhën dy incidente ku disa të rinj dogjën mes Tiranës flamuj të Serbisë, dhe një person tentoi të shkulte nga vendi flamurin serb por u rrëzua duke u lënduar keq.

Burimet pranë policisë së kryeqytetit bëjnë me dije se disa persona pritet të shoqërohen në komisariat për veprimin e djegies së flamujve të Serbisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Policia po vëzhgon pamjet filmike të regjistruara nga media por edhe kamerat e sigurisë në Bulevard apo agjentët në terren, për të identifikuar autorët.

Siç janë transmetuar edhe në pamjet që kanë qarkulluar nga protesta, shumica e personave që kanë bërë veprime të tilla janë adoleshentë dhe të mitur.

Menjëherë pas përfundimit të protestës, policia ka inspektuar vendet ku janë djegur flamujt ku janë mbledhur edhe materialet hetimore./albeu.com/

 


Shtuar 20.12.2021 19:54