Të tjera detaje janë zbuluar nga arrestimi i Aranit Arapit, 34-vjeçarit nga Divjaka, i cili prej 10 muajsh ishte i martuar me një minorene 14-vjeç. Familjarët e vajzës kanë bërë denoncimin në polici dhe pas arrestimit të djalit, ata kanë marrë minorenen dhe janë larguar.
Nëna e djalit, thotë se vajza e kishte lënë shkollën në mes dhe nuk donte ta vazhdonte për shkak se kishte frikë se mos e merrnin familjarët e saj.
“Nuk donte të shkonte në shkollë. Djali i tha ta vazhdonte shkollën ajo nuk shkonte se kishte frikë se e merrnin”, tha nëna.
Ndërsa babai i djalit theksoi se ata kanë bërë edhe dasmë, pa praninë e familjarëve të nuses, teksa shtoi se kjo e fundit dëshironte vetë të rrinte me familjen e Aranitit.
Babai shtoi se ata kanë kërkuar nga prindërit e vajzës edhe dokumentet e shkollës për të bërë transferim, por vetë 14-vjeçarja ka mohuar në mënyrë kategorike të përfundojë studimet.
“Dasmën e bëra unë, siç bëjnë gjithë prindërit. Pyeta prindërit e saj e më thanë që nuk ke punë me vajzën time ta bësh nuse. I bënë presion vajzës, 4 ditë në spital e sëmurë ajo. Djali ishte thirrur 3 herë në polici, edhe ne në prokurori. Vajza ka qëndruar me dëshirë. Vajza na tha se do vij me ju. Ajo ishte në klasën e 7 dhe e la shkollën. I thash të shpisë së saj më jep dokument ti ndjek shkollën këtu, mirë më thanë, por nuk donte vajza”, tha ai.
Babai i djalit shtoi më tej se Araniti e dinte nusen e tij 17 vjeç për shkak edhe të fizikut që kishte, ndërsa në gusht ai thotë se ka marrë vesh moshën reale.
“Ajo i tha që jam 17 vjeç, se kishte trupin ajo. Nga trupi dukej për 20. Unë në gusht e mora vesh moshën e vërtetë”, përfundoi babai i djalit./albeu.com