Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar se është ndarë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Meta tha në një intervistë për Syri Tv se punët në familjen e tyre ishin ndarë dhe me llogaritë ekonomike dhe lëvizjet financiare, merrej Monika Kryemadhi, pasi ai nuk kishte kohë për këto detyrime.
“E para, unë e mendoj se është e pafajshme. E dyta, Batoni më ka thënë në një darkë tek Kodra e Diellit, më ka thënë se, kam menduar se do ta ndaje që kur u lanë mandatet. E përmenda çështjen e mandateve se ajo ka qenë një krisje shumë e madhe mes nesh. Nuk ka qenë lojë dhe nuk është lojë. Çështja e mandate është një krim për popullin shqiptar.
Unë kam pritur nga ajo një reflektim nga ajo dhe e deputetëve dhe askush nuk mori në telefon për të pyetur se, nëse ti ke dalë kundër çfarë mendon. Nuk e bëra unë kryetare të partisë, ashtu siç e thatë ju. Ajo ka pasur kontributet e veta shumë të mëdha. Pas zgjedhjes time të sforcuar si president, kryetar u bë Petrit Vasili, për shkak të përvojës, qartësisë politike dhe ajo u bë nënkryetare si një mbështetëse dhe për të mbajtur linjën.
Dhe më pas erdhën zgjedhjet, rezultati i dobët në Fier dhe presionet e Ramës ndaj deputetëve sepse u duk e qartë që po shkonim drejt opozitës. Më pas u mendua si zgjidhje për të mbajtur më të bashkuar partinë, dhe për shkak energjive që ajo kishte. Ka kontributet e veta që askush nuk ja ka mohuar dhe nuk ja mohon. Por tani kjo është një marrëdhënie e cila është bërë e pamundur dhe kjo është një zgjidhje më e qetë për të gjithë”, tha Meta.