Dita e parë si kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku “refuzoi” Albin Kurtin e Vjosa Osmanin për Rugovën (FOTO LAJM)

 

 

Abdixhiku mori shumicën e votave të delegatëve, gjithsej 190, kurse do të udhëheq LDK-në për dy vitet e ardhshme.

Menjëherë pasi u bë kryetar, gazetarët e pyetën nëse do ta pranoj ftesën e kreut të VV-së, Albin Kurtit dhe ish-bashkӕpartiakes Vjosa Osmani për takim (sot), për të biseduar për krijimin e institucioneve të reja.

Dje, Abdixhiku e bëri të qartë se nuk do të shkojë në takim, çka edhe ashtu ndodhi, shkruan Reporteri.net.

Por pasardhësi i Mustafës sot i dërgoi letër Kurtit e Osmanit duke i thënë se mund të takohen ditën e premte në Kuvend.

 

Ditën e sotme, kreu i ri i LDK-së e kishte të rezervuar për diçka tjetër. Abdixhiku refuzoi Kurtin dhe Osmanin për presidentin e ndjerë Rugova.

 

Nga aty, Abdixhiku deklaroi se mburret me të kaluarën e partisë, por ajo nuk mjafton.

“Po e nisim nga këtu, për të nderuar dhe kujtuar jo vetëm kryetarin e parë të LDK’së, Dr.Ibrahim Rugova, por edhe themeltarin e Republikës së Kosovës, nga këtu dërgojmë mesazhet se idetë tradicionale të LDK’së mbesin ide të kohës, të përhershme të cilat do t’i kultivojmë edhe në këtë pjesë tonën. Ndjehemi krenarë për punët e bëra që nga themelimi e deri më sot. E kaluara jonë është e kaluar me të cilën mburremi, por ajo sot s’na mjafton. E ardhmja ndërtohet duke respektuar të shkuarën, por duke i dhënë përgjigje çështjeve që janë emergjente për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku, shkruan Reporteri.net.

Kujtojmë se Abdixhiku edhe dje pasi u bë kryetar tregoi lidhjen e tij me Rugovën.

“Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë LDK-në”, tha Abdixhiku.

 

 

 

Shtuar 15.03.2021 06:03