“Dikur në parlament ishte elita”, Jozefina Topalli: Sot liderët s’duan njerëz me karakter të fortë pranë vetes, por ata që paguajnë

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka thënë se politika sot është kthyer në një biznes pasurimi shumë i shpejtë dhe i pandershëm, ndërsa më parë ishte elita në parlament.

Ajo nuk i kurseu kritikat për klasën e sotme politike, ndërsa theksoi në një intervistë për “A2 CNN” se në kohën kur ajo i hyri politikës, realiteti ishte tjetër.

Sipas saj, nëse sheh parlamentin sot, mund të vëresh rënie në performancë, në artikulim dhe rrjedhimisht edhe rënie të besimit të qytetarëve.

“Kur kam hyrë për herë të parë në politikë. Në parlamentin e Shqipërisë ishte elita e vendit tonë, ekonomistët më të mirë, pedagogët më të nderuar, ishin inxhinierët më të zotët. Ishin njerëz të ndershëm. Po të mos ndodhte ‘97 do të bëheshin politikanë dhe njerëz të suksesshëm”, ka thënë Topalli.

Për Jozefina Topallin, faji është i kryetarëve të partive për rënien e cilësisë së prurjeve në politikë. Këto kohë, sipas saj, liderët nuk duan njerëz me karakter të fortë pranë vetes.

“Këto kohët e fundit liderët nuk duan pranë vetes me autoritet të fortë moral. Njerëz me personalitet të fortë. Njerëz që janë të nderuar në komunitetet e tyre, me reputacion dhe performancë të lartë në komunitetet e tyre…Në lista vendosen njerëz që paguajnë. Kryetarët e kanë degjeneruar të qenurit deputet në atë fazë që njerëzit nuk e ndjekin më parlamentin”, është shprehur Jozefina Topalli.


Shtuar 23.12.2022 21:47