Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, në një deklaratë për mediat ka dënuar ngjarjen e rëndë, ku avokati Sokol Mëngjesi ra pre e dhunës barbare.
Haxhia teksa falenderoi policinë për kapjen e autorëve, dha disa mesazhe të forta duke pohuar se pret nga drejtësia dënim maksimal për agresorët.
Mes të tjerash, ai dha një mesazh të qartë për politikën, që të heqë dorë nga etiketimet për avokatët.
“Sokol Mëngjesi u dërgua për trajtim ne Greqi. Trajtimi i avokatit do të vijojë në këtë shtet, pasi duhen ditë që Mëngjesi të zgjohet nga koma. Falenderojmë policinë për gjetjen e autorëve.
Presim dënim maksimal duke marrë dënimin e merituar. Një falënderim për përkushtimin e mjekëve, të cilët mbajtën nën kontroll kolegun tonë. Një falënderim i veçantë i shkon dhe medias që ka qenë në krahun tonë. Ka treguar kujdes për informimin e publikut për gjendjen e Sokolit. Ju falënderojmë për shqetësimin tuaj për të ngritur problemet të cilat kanë të bëjnë me pozicionimin në trekëndësh që na kanë vënë një sërë faktorësh me shumë padrejtësisht.
Ky takim është kërkuar nga gjithë trupa e avokatëve të Shqipërisë, për të organizuar këtë mbledhje. Përmes këtij rasti kemi mbledhur të gjithë qëndrimet denigruese që janë bërë dhomës së Avokatisë dhe avokatëve. Një qëndrim i tillë është mbajtur dhe me avokatët tanë në Durrës, që i kanë pozicionuar në vende të papërshtatshme. Ne nuk kemi për qëllim që të hapim luftë, por që roli i avokatëve të vlerësohet nga të gjithë. Këtë situatë e prisnim, por jo deri në këtë shkallë.
Dua të them se të gjithë kemi qene të parët që e kemi dashur reformën ën drejtësi, por nuk ishte ajo që donim. Donim drejtësi të paanshme, jo drejtësi diskriminuese dhe të veçuar. Kjo bëri që të ndodhte kjo gjë. Duhet të vlerësohet roli i avokatit dhe jo kur janë nevojat e tyre. Avokati është niveli më i lartë i drejtësisë që ndihmon sistemin e drejtësisë. I bëj thirrje politikës, ekzekutivit të vlerësojnë dhe të heqin dorë nga tipizimi i avokatëve si shkaktarë të situatave apo avokatë të kriminelëve. Përkundrazi kjo tregon nivel të lartë dhe civilizim të shtetit”, shprehet Haxhia.