Dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, shoqërohen dy persona

Dy persona janë shoqëruar në polici lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, ku u dhunua avokati Sokol Mëngjesi.

Ata janë shoqëruar si persona që kanë dijeni për ngjarjen, ndërsa autorët dyshohet se ishin me pagesë.

Kamerat e sigurisë kanë kapur 3 persona, të cilët pas ngjarjes janë larguar me një makinë. Policia falë këtyre pamjeve ka mundur të identifikojë një prej agresorëve si dhe mjetin e përdorur. Po punohet për identifikimin e dy të tjerëve.

Momentalisht po bëhen kontrolle në Tiranë me qëllim vënien e të identifikuarve në pranga.

Në lidhje me gjendjen e tij, avokatit i është ripërsëritur skaneri për të parë gjendje e hematomave. Ai po mbahet në observim në reanimacion.

Bluzat e bardha thonë se duhet të presin 48 orë për të parë si do të reagojnë parametrat shëndetësore të avokatit.

Ndërkohë, në orën 18:00 pritet një konferencë për shtyp e Policisë së Shtetit, që do të zbulojë më shumë detaje për ngjarjen.

 


Shtuar 29.05.2024 17:17