DETAJET/ Jo një por 3 pista! Pse u vra në mesnatë biznesmeni i njohur në Sarandë

Mbrëmjen e djeshme në Sarandë u krye një atentat ku u vra biznesmeni i njohur Gramoz Mema.

Ngjarja ndodhi pak para orës 23:00 në mbrëmje, sapo viktima mbylli lokalin e tij. Viktima u ekzekutua gjatë rrugës për në shtëpi, ku disa persona i kishin ngritur pritë dhe e qëlluan me armë zjarri duke i marrë jetën.

40-vjeçari, i cili jetonte i vetëm, ishte ende gjallë, por nuk mundi që t’u përballonte plagëve të marra nga plumbat, duke ndërruar jetë për në spital.

Pista kryesore që po hetohet nga Policia është një konflikt që Mema kishte pasur në lokalin e tij, vetëm një natë para vrasjes.

Sipas dëshmitarëve, gjithçka kishte ndodhur për pagesën e një fature nga klienti. Po ashtu një tjetër pistë është ajo e të shkuarës së tij në Britaninë e Madhe.

Viktima prej disa kohësh ishte kthyer nga emigrimi dhe kishte vendosur që të hapte një biznes në Ksamil, ku edhe jetonte vetëm me të ëmën.

Por ka edhe një pistë tjetër, e cila nuk do të duhej që të ekzistonte nëse ligji do të zbatohej; ajo e lojrave të fatit.

Sipas raportimeve, viktima ishte i dhënë pas lojrave të fatit dhe shpesh herë shkonte për të vendosur baste, gjë kategorikisht e ndaluar sipas ligjeve në Shqipëri. Disa vite më parë, me shumë bujë u mbyllën lojrat e fatit, ose të paktën ashtu u raportua. Nuk përjashtohet mundësia që viktima të ketë pasur borxhe dhe të jetë “eliminuar”.

 


Shtuar 7.06.2021 16:41