DETAJET/ Ibrahim Lici është vetëdorëzuar tri ditë më parë dhe ka kërkuar azil politik në Turqi

Është ndaluar në Turqi Ibrahim Lici, personi i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër.

Lici ishte shpallur në kërkim, ndërsa besohet se ndalimi i tij është kryer tri ditë më parë pas procedurës së vetëdorëzimit ku ka kërkuar azil politik, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga grupet kriminale Shqiptare.

Lici ka dorëzuar biseda të aplikacionit Sky ku grupet kriminale flasin për përndjekjen dhe planet me qëllim vrasjen e tij, shokëve dhe familjes së tij.

Nisur nga këto prova, mësohet se Lici ka shfaqur dëshirën që të vijë në Shqipëri dhe të përballet personalisht me akuzat për vrasjen e Mustafës, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2021, në lagjen Guerrile, Shkodër.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.

Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.

Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 31-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.

Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 31 vjeç.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë./albeu.com


Shtuar 15.02.2024 09:17