DETAJET/ Dogji gruan e vrau veten, krimi në Kavajë ndodhi për një “sallatë” që nuk i bëri gruaja

Një ngjarje e rëndë tronditi Kavajën dy ditë më parë ku në fshatin “Kryemadhenj” të Golemit burri dogji gruan e tij e më pas i dha fund jetës duke u vetëvarur. .

Viktima janë Bilbil Shirja dhe Fëllënxa Shirja, të cilët kanë qenë në proces divorci. Ata ishin prindër të dy fëmijëve.

Ndërkohë ka folur për mediat vëllai i Bilbilit, Hasan Shirja i cili hedh poshtë hipotezën se ngjarja ka ndodhur për shkaqe xhelozie

“Na ka rënë si rrufe në qiell. Më shpejt e morën vesh njerëzit e tjerë se sa ne. Ka pasur konflikte me gruan, por jo në këtë shkallë. Bashkëshortja ishte te babai i vet, ai te ne. Ishte i qetë dhe pa probleme. Të hënën kishin pas një seancë pajtimi, e të gjithë ishim dakord që të pajtoheshin. Nuk kanë pas probleme nderi dhe ekonomie.

Kanë pas një mosmarrëveshje, më 27 janar, nuk kanë pas asnjë problem. Familja e saj e mirë dhe në punë të vet. Sherri i tyre është për një sallatë, nuk e ka bërë. Fëllënxa i ka thënë ngrihu bëje vetë”, tha Hasani.

Sipas tij, nuk është e vërtetë se ka pasur punë xhelozie. “Ai ka dashur që të bashkohej. E merrte dhe e çonte në shtëpi. Ajo nuk ka qenë femër e hedhur, nuk mund të themi ashtu. Ajo nuk ka bërë denoncim, asnjë gjë”, shtoi vëllai i viktimës.

I pyetur nëse takoheshin ata të dy, Hasani tha: “Janë takuar te universiteti i Durrësit, e ka dërguar njëherë me makinë te shtëpia e prindërve, ku ajo jetonte. Ndërsa ditën e ngjarjes nuk e di ku e ka takuar, ai ka dalë herët në mëngjes nga shtëpia. Nuk ka dalë asnjëherë në atë orar. Kur unë isha në shtëpi, më merr djali e më pyet ku është Bilbili e më tha për makinën. Shkova atje, por nuk më la policia. U bë kjo hata, kanë lënë dy fëmijë. Bilbili ka qenë si gjithë njerëzit e tjerë. Nuk janë varrosur, pasi do vinte vajza ditën e mortit. Ajo ka qenë me Covid me burrin”. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 12.04.2021 16:08