Detaje nga ngjarja e rëndë në Durrës, familja e dinte se 19-vjeçarja vrau të atin, e ndihmuan ta varrosnin në oborr…

Ngjarja e rëndë në Durrës, ku vajza 19-vjeçare vrau të atin ka tronditur opinionin publik. Ajo e ka vrarë me armë zjarri dhe më pas e ka varrosur në oborrin e shtëpisë.

Vëllai i saj 25-vjeçar më 13 shkurt e ka denoncuar në polici zhdukjen e të atit, Pëllumb Meta, ku nisën dhe hetimet për këtë ngjarje.

Policia më 17 shkurt zbuloi makinën e viktimës të parkuar në në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia, ku nga veprimet hetimore, zbuluan se Meta nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë dhe varrosur në oborrin e shtëpisë nga vajza e tij Hygerta Meta, e cila është nën prangat e policisë.

Ajo ka deklaruar se e vrau të atin, pasi ai dëshironte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Sipas informacioneve, dyshohet se në dijeni të krimit kanë qenë dhe familjarë të tjerë, të cilët mund të kenë ndihmuar në fshehjen e krimit, përmes varrosjes së 50-vjeçarit në oborrin e shtëpisë.


Shtuar 23.02.2024 09:51