Një ngjarje tragjike ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në Bullgari. Një autobus me targa maqedonase është djegur dhe për pasojë kanë humbur jetën 45 pasagjerë, shtetas të Maqedonisë së Veriut. Nga 52 personat që ndodheshin në autobus, vetëm 7 kanë arritur të mbijetojnë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Të mbijetuarit, të gjithë janë me djegie në fytyrë dhe kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes.
Personat që i mbijetuan tragjedisë, përveçse kanë lëndime të mëdha në trup, janë në trauma të rënda, pasi kanë humbur të afërmit dhe disa prej tyre, fëmijët.
Autobusi ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo mbrëmë pak pas orës 21:00. Rreth orës 3.00 është djegur në autostradën në drejtim të Sofjes – Bllagoevgrad, raporton albeu.com.
Ministri i Brendshëm bullgar, Bojko Rashkov tha se tragjedia do të zbardhet me detaje në vijim të hetimeve.
Detaje tronditëse janë bërë të ditura nga mediat bullgare të cilat shkruajnë se viktimat janë djegur aq shumë saqë nuk identifikohen dot. Ata do të identifikohen përmes ADN-së.
Dyshimet e shkakut të zjarrit janë dy: gabim njerëzor i shoferit ose defekt teknik, ka thënë zëvendësprokurori Boruslav Sarafov. Të mbijetuarit janë duke u marrë në pyetje nga një grup hetuesish të Shërbimit Hetimor Kombëtar./albeu.com