Një i ri 18-vjeçar humbi jetën sot në Durrës, pasi u fut në det për të shpëtuar vëllanë dhe shokun e tij 15-vjeçar, të cilët po rrezikonin të mbyteshin.
Anri Kashiku kishte pak që ishte kthyer në vendlindje nga Anglia, për të kaluar pushimet me miqtë dhe familjarët, por qëndrimi i shkurtër përfundoi në tragjedi.
Ndërkohë, mësohet se i riu ishte sportist në një ekip amator.
Ai luante me të rinjtë e një skuadre futbolli që qendrën e kishte afër vendit ku ai u mbyt. Kjo është konfirmuar gjithashtu nga trajneri që 18-vjeçari kishte pasur para disa vitesh.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesditës, kur Anri Kashiku u fut në det të shpëtonte vëllanë dhe shokun e tij 15-vjeçar, pasi u rrezikohej jeta nga deti i trazuar.
Dy të miturit dolën në breg dhe janë jashtë rrezikut për jetën, dnërsa 18-vjeçari u gjet shumë më vonë rreth 20 metra nga bregu.