Një krim i rëndë ndodhi ditën e djeshme në Tiranë përpara Gjykatës ku vjehrri vrau dhëndrin e tij i cili ishte në proces divorci me vajzën e tij.
Viktima është shtetasi Kudret Saliaj i cili u ekzektua nga vjehrri Mexhit Picari, pak minuta para nisjes së seancës gjyqsore për ndarjen.
Një prej dëshmitarëve të vrasjes së Kudret Saliajt dje në Tiranë ka treguar momentin e ngjarjes që shkaktoi panik në lokalin ku ai po pinte kafe.
Dëshmitari, i cili nuk preferon të identifikohet me emër, tregon se viktima ka qenë në tavolinë më burrin që mbeti i plagosur (avokati i tij Adriatik Cama) dhe me një grua, që ishte punonjëse sociale, e cila do merrte pjesë në procesin e divorcit.
Ai thotë se në një tjetër tavolinë ka qenë i ulur edhe autori i ngjarjes (Mexhit Picarit), ndërsa kur e pyesim nëse viktima ka pasur me vete edhe djalin, ashtu siç u raportua dje në media, dëshmitari tregon se nuk ka parë fëmijë në tavolinë, por as në lokal.
“Fëmija mund të ketë qenë jashtë dhe ka ardhur pas ngjarjes, por aty unë nuk kam vënë re të kishte fëmijë”, tregon dëshmitari. Më tej, ai tregon rrethanat se si ndodhi ngjarja.
“Autori është ngritur nga tavolina ku ishte ulur dhe i ka shkuar viktimës nga pas. Nuk e di pse viktima është ngritur në këmbë para se të qëllohej, por fiks në momentin që është dëgjuar krisma e parë viktima ishte në këmbë. Por nuk ka arritur të kthehej përballë autorit, pasi ai e ka qëlluar pas shpine. Kam dëgjuar 5-6 të shtëna dhe kam nxituar të dal jashtë, sapo pashë që krismat pushuan dhe autori po nxitonte të largohej”, tregon dëshmitari.
Ai e përshkruan autorin si polic apo ushtarak, pasi sipas tij ishte shumë këmbëngulës dhe qëlloi disa herë nga afër. Ndërsa tregon se pas të shtënës së tretë viktima u rrëzua në tokë, ndërsa autori u kthye edhe një herë për t’u siguruar që ai kishte vdekur.
“Na kapi paniku të gjithëve sa ishim në lokal dhe disa u shtrinë barkas e të tjerë nxituan të largoheshin. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Plumbat mund të mos kursenin asnjërin prej nesh”, shprehet dëshmitari.