Deri në fund të vitit, Kosova pritet të sigurojë 2 milion vaksina anti-Covid

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë sot se, deri në fund të vitit pritet që vendi të sigurojë deri në 2 milion vaksina anti-Covid.

“Mendoj se vetëm duke raportuar ne si ministri në bashkëpunim me Kuvendin mund të çojmë agjendën përpara.  Situata me epideminë është përmirësuar ndjeshëm, paraqitet e qëndrueshme, janë ulur rastet me 70% ndërsa numri i rasteve në ditë është 40.  Sa i përket vaksinimit, në momentin e ardhjes time në detyrë, plani për vaksinim veçse ka ekzistuar dhe ne brenda javës kemi pranuar kontingjentin e parë të vaksinave nga COVAX.

Sa i përket furnizimit me vaksina, neve nuk na u është ofruar ndonjë kontakt me prodhuesit, ne i kemi vënë kontaktet dhe tashmë e kemi nënshkruar një kontratë. Neve nuk na u është ofruar as marrëveshja e konfidencialitetit, ato na u është dashur t’i sigurojmë nga prodhuesi.

Vaksinimi po hyn në një fazë të re. Siç jeni të informuar, gjatë kësaj kohe është me rëndësi të përmendet që janë siguruar edhe 1 milion e 200 mijë e bashkë me dozat e krijuara, deri në fund të vitit do të kemi deri 2 milion vaksina. Do të ketë edhe përpjekje për sigurimin të edhe më shumë vaksinave”, tha Vitia para deputetëve./albeu.com


Shtuar 1.06.2021 10:25