Deri në 600 mijë euro zhvatje, SPAK i hyn “me themel” llogarive bankare të Call Centerave

Hetimet mbi çëshjen e shumëpërfolur të Call Centerave që kanë nisur prej disa ditësh nga SPAK, janë futur në një fazë të re.

Struktura e Posaçme u ka dërguar letërporosi Bankave të nivelit të dytë për zbardhjen e plotë të transaksioneve bankare të viteve të fundit të këtyre eksponentëve.

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme ka bërë kërkesë ndaj drejtorisë së tatimeve për bilancin e këtyre bizneseve, ndërkohë kërkesë i është dërguar edhe kompanive telefonike për thirrjet e kryera ndaj numrave të huaj gjerman, holandez, italian dhe francez.

Mbi 1 mijë shtetas të huaj janë mashtruar, ndërsa vlerat e vjedhura të të huajve shkojnë deri mbi 600 mijë euro investime në bursen e rreme për një person. Ndërsa në total vlera e mashtrimeve shkon në miliona euro.

Janë rreth 13 kompani që dyshohet se kanë mashtruar me shuma të mëdha një numër të konsiderueshëm qytetarësh të Bashkimit Europian. Hetimet e SPAK janë duke u kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Ishin kërkesat nga autoritetet gjermane e holandeze ato që vunë në lëvizje prokurorët e SPAK, pas ankesave të shumta nga qytetarët e tyre. Fillimisht hetimet nisën nga këto shtete, ku pas verifikimeve është zbuluar se qytetarët e tyre mashtroheshin nga kompani me IP me qendër në Shqipëri.

Javen e kaluar drejtuesi i SPAK, Arben Kraja kreu nje vizitë në holandë, ku bëri një takim me homologun e tij holandez, por nuk dihet se për çfarë kanë biseduar.

Këto Call Centër, që janë momentalisht në qendër të hetimit, janë “Bursa” të cilat telefonojnë qytetarë të vendeve të ndryshme dhe u premtojnë atyre fitime të shpejta nëse do të investojnë atje./albeu.com/


Shtuar 2.11.2021 12:40