Prej ditës së djeshme, reshjet e dëborës në rajonin Juglindor, kanë sjellë edhe problematika me bllokim të akseve rrugore, si dhe me ndërprerje të energjisë elektrike.
Mësohet se trashësia e dëborës në lartësitë mbi 800 metra ka arritur nga 15-30 cm, në majë të Bigllës në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë.
Gjatë gjithë natës më shumë se 15 mjete borëpastruese, kanë punuar për të mbajtur të hapura akset rrugore Korçë-Dardhë, Korçë -Voskopojë, Kamenicë -Ersekë dhe Zëmblak-Dogana e Gorices se Madhe.
Ndërkohë, burime zyrtare pranë Autoritetit rajonal Rrugor bëjnë me dije se rruga e re nga Maja e Qafësë së Qarrit deri në hyrje të Ersekës është e bllokuar.
Mësohet se kjo situatë është krijuar për shkak të mosmbylljes së procedurave, për marrjen në mirëmbajtje nga ana e firmave kontraktore të rrugës së re që lidh Korçën me Ersekën, ndaj për këtë autoritetet rrugore u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të përdorin aksin e vjetër, pasi është i kalueshëm pa probleme.
Pas reshjeve të shumta të dëborës, paraqiten probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatrat e njësive administrative Vithkuq e Lekas në Bashkinë e Korçës, në Bashkinë e Pogradecit e Leskovik në Bashkinë e Kolonjës.