Policia e Kosovës ka reaguar në lidhje me lajmin e shpërndarë në mediat serbe për arrestimin e tre anëtarëve të Forcave Speciale në territorin serb.
Në një njoftim thuhet se tre policët janë rrëmbyer në brendësi të territorit gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të vendit.
Mësohet se arrestimi ka ndodhur rreth 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës. Sipas detajeve oficerët e rrëmbyer janë Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafa Shemi.
Mediat e Beogradit raportuan më herët se tre policët u arrestuan në territorin serb dhe ishin “të armatosur deri në dhëmbë”. Po ashtu u bë me dije se ishte njoftuar me urgjencë presidenti serb Aleksander Vuçiç.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.
Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policor janë kidnapuar nga forcat serbe.
Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.
Po ashtu edhe media të ndryshme serbe kanë raportuar se pjesëtarët e njësiteve speciale serbe, kanë arrestuar zyrtarët e Policisë së Kosovës”-thuhet në njoftim.