Daja flet pas suksesit: Fitore e rëndësishme, por kemi edhe 2 finale për titullin

Trajneri i skuadrës së Partizanit, Ilir Daja ka analizuar ndeshjen me Teutën dhe pas fitores në “Niko Dovana” ka folur për djemtë e tij që kanë bërë një ndeshje të madhe, por që asgjë nuk ka mbaruar. Në “gol pas goli” në “Supersport”, trajneri Ilir Daja ka pohuar: “Të luash një ndeshje për të mos humbur trenin e fundit, se kemi edhe dy të tjera. Sot kemi realizuar një objektiv që jemi në Europë, por nuk duhet të kënaqemi me këtë. Të gjitha bëjnë që tensioni të jetë prezent, se ishim në transfertë ndaj kryesueses, që nuk i kishim mundur e nuk na kishin mundur. Me një fillim të vrullshëm të Teutës bënë që ekipi të kishte probleme.”

“Nuk i kthej asnjëherë në mbrojtje lojtarët, kërkoj që ekipi të jetë sipër. Por natyrshëm që edhe kundërshtari të detyron e nëse kthehemi në gjysmëfushë kemi manovër tjetër. Kishim punuar të ishim sipër me presing, por kjo për të gjithë faktorët që listova më parë ishte e arsyeshme dhe ajo që na kënaq është që shkuam drejt fitores me një ekip si Teuta.”

“Në dy seancat para ndeshjes, kemi pasur probleme edhe me Zhunior edhe me Brojën. Por fatmirësisht Broja e lejoi dëmtimi të ishte pjesë e ekipit, duke parë edhe që Teuta kaloi në pjesën e dytë me dy sulmues, ishte edhe më i rëndësishëm pozicioni i Brojës. Në pjesën e parë nuk bëmë mirë, por në të dytën mund të çonim lojën drejt golave të tjerë nëse do të tregoheshinm rezultativë para portës se kishim 4-5 raste para portierit. Por edhe pse nuk kishte spektakël, në aspektin e lojës kishte probleme, por dëshira e madhe e futbollistëve na çoi sot të tri pikët. Kështu që ky trepikësh i shkon të gjithë futbollistëve për sakrificën se në stol ishim të limituar për pak alternativa”.

“Edhe Asani, edhe Zhunior, edhe Çinari, kanë punuar fort në fazën e mbrojtjes dhe kur shkon para portës dhe energjitë nuk i ke të duhura, edhe qetësinë nuk e ke. Por duhej ta zgjidhnim e të na jepnin qetësinë. Por në fund e rëndësishme është që shkuam te fitorja në momentin e duhur.”

“Nervozizmi? Nganjëherë edhe ne e kalojmë cakun, se edhe presioni është i madh kur kërkon objektiva maksimale. Ajo ishte një shfryrje për mënyrën se si po interpretonim pjesën e parë ,por edhe pak për ndonjë gjë tjetër. Nuk thashë gjë për gjyqtarin.”

“Ndeshja me Vllazninë është shumë e rëndësishme, se është 90-minutësuhi i parafundit. Nuk besoj se do ta kemi të lehtë në Ballsh, por të fokusohemi te kjo ndeshja me Vllazninë e pastaj të mendojmë për ndeshjen e fundit”, – tha Daja pas ndeshjes në Durrës.


Shtuar 17.05.2021 20:28