Skandali në Kosovë, ku infermiara në azil në Pejë dhunon të moshuarën ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
“Ky është momenti shokues kur e moshuara rrihet nga infermierja në një azil në Kosovë. Punonjësja e shtëpisë së pleqve ‘Orenda’ në Pejë, mban duart e të moshuarës dhe e godet me shuplakë disa herë. Shihen dy gra tjera në video dhe një tjetër duke filmuar, që dëgjohet duke qeshur me zë ndërsa koleget e saj sulmojnë të moshuarën”, shkruan prestigjozja britanike, Daily Mail.
Mbarë opinioni publik në Kosovë dhe Shqipëri është tronditur nga dhuna që punonjësja Aurona Pelaj ka ushtruar ndaj të moshuarës në një azil në Pejë, Kosovë
Punonjësja shihet duke goditur me shpulla dhe këmbë në bark të moshuarën ndërsa vajzat e tjera e filmojnë dhe qeshin.
E moshuara është nëna e dëshmorit Taulant Nura. Sakaq mediet në Kosovë raportojnë se e moshuar ndodhet ende në azil, dhe se të afërmit e saj janë në pritje të një dokumenti për ta nxjerre atë nga azili i të moshuarve.
Video është xhiruar nga një anëtarë tjetër e stafit, teksa në video dëgjohen edhe të qeshura. Policia ka konfirmuar se dy punonjëse të shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar, përfshirë edhe kujdestaren, Aurona Pelaj, që shihet duke e goditur me shuplakë në fytyrë dhe në kokë të moshuarën, e cila është e pafuqishme të reagojë.
Autorja është nga fshati Novosellë e Pejës dhe ka disa muaj që punon në këtë qendër. Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar se ka angazhuar dy prokurorë për ta hetuar rastin. “Dy prokurorët e shteti dhe Policia e Kosovës kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale ‘Sulm’ dhe veprën penale ‘ndihma për kryerjen e veprës penale të sulmit” thuhet në njoftimin zyrtar.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe ministri i brendshëm, Xhelal Zveçla, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të çohen para drejtësisë.