Daçiç: Referendumi për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, jo për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, prezantoi të martën në Kuvend nismën për ndryshimin e Kushtetutës përmes referendumit që pritet të mbahet me 16 janar të vitit të ardhshëm.

Ai sqaroi se ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve dhe jo me preambulën e Kushtetutës së Serbisë që i referohet Kosovës si pjesë e Serbisë.

“Qëndrimi ynë është i qartë: Kosova është pjesë e Serbisë. Referendumi nuk ka të bëjë asgjë me çështjet që së fundmi janë politizuar e që janë shfrytëzuar për shkelje brutale të ligjit”.

Daçiç shtoi se Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Maja Popoviç, gjatë debatit në Kuvend ka thënë se ndryshimet e Kushtetutës në sektorin e drejtësisë, do të ndihmonin edhe më shumë reformat në sistemin legjislativ, të cilat do të ndihmonin progresin e Serbisë drejt integrimit evropian.

Kryeparlamentari serb u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë në referendum.

“Ne besojmë se është në interesin e Serbisë që të konfirmojnë vendosmërinë e parlamentit dhe që të bëjnë një hap të madh drejt rrugëtimit evropian, por gjithashtu do të ishte hap i madh edhe për reformat që kanë nisur tash e sa vite”,  tha Daçiç.

Daçiç nënvizoi se në referendum nuk do të ketë ndonjë fitues, pasi nuk janë zgjedhje por vetëm një veprim në interes të Serbisë


Shtuar 1.12.2021 10:07