Analisti Andi Bushati është shprehur se ambasadorja Yuri Kim i ka rikthyer forcën Sali Berishës.
Bushati shton se Kim është “më e dështuara” që SHBA-të kanë sjellë ndonjëherë në Shqipëri.
Komentet Bushati i bëri në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ishte i ftuar.
“Ajo mori detyrën që Berishën ta fusë në arkivol, ti fusë gozhdët dhe ta nxjerrë nga politike. Në këto 7 muaj ajo vetëm ka shkulur gozhdët dhe nga një Sali të vdekur na ka sjellë një Sali të ringjallur. Ajo e ka bastarduar detyrën që i kanë dhënë shefat e saj”, tha Bushati.
Bushati tha se ambasadorja “pozon me të korruptuarit”.
“Në raport me detyrën që i është dhënë, ambasadori është për të ekzekutuar detyrat që i janë dhënë nga lart.
Ajo duhet të nxirrte Berishën me sa më pak kosto anti-amerikanizmi në këtë vend. A e patë para dy muajsh sondazhin e Euroneës? Ka dalë BE në pëlqyeshmëri shumë më lart se SHBA. Kjo ka ardhur nga mënyra si kanë luajtur hipokrizisht diplomatët amerikanë në këtë vend.
E mbani mend krizën e bojkotit të zgejdhjeve lokale në 2019? Palmeri tha zgjidheni këtë punë qetë dhe pastaj e merr Gjykata Kushtetuese.
Pritëm një vit, të zbatohej formula e Palmer. Doli Gjykata tha nuk kemi kompetencë ta gjykojmë këtë çështje. Ata që besuan se Palmeri kishte shkopin magjik, u ndjenë të tallur.
Këto kanë bërë që njerëzit të ngrenë pyetjen, po na thonë të vërtetën apo po i shërbejnë një loje të shtrembër?
Kjo zonja nuk ka ditë që nuk boton foto buzagaz me cdo të korruptuar të këtij vendi, që është i njohur që bën tendera. Nuk e shqetëson korrupsioni i këtyre që vjedhin sot, por e shqetëson korrupsioni para dhjetë viteve”, tha Bushati.
Ndërsa Armand Shkullaku tha se ambasadorja përfaqëson politikën zyrtare të DASH, që e ka shpallur Berishën non-grata, por “ajo nuk ka të drejtë të shantazhojë dhe kërcënojë” një parti politike.
“Ndërhyrja qe flagrante. Edhe në raste të tjera, si deklarata e të ngrënit bar. Ambasadorja përfaqëson politikën zyrtare të Biden. Ata e kanë shpallur ish kryeministrin non-grata. Është vendim i tyre, nuk na takon ta gjykojmë. Mund ta komentojmë dhe të themi është i padrejtë.
Por, sa i takon mënyrës si kjo përcillet në vende si Shqipëria, që duket sikur është koloni që një ambasadori i lejohet të bëjë gjithçka.
Një ambasador nuk ka të drejtë të shantazhojë dhe kërcënojë një forcë politike dhe as të bëhet palë në një konflikt, për më tepër të ndërhyjë në një moment që çështja për lidershipin e PD ka marrë udhë dhe gjykata ka marrë një vendim.
Mund ta pyesnim ambasadoren, kush e ka caktuar kryetar të komanduar Alibeajn? Cili forum? Cili organ?”, tha ndër të tjera Shkullaku.