Covid-19 “bën kërdinë” në Rusi

Rusia ka regjistruar një numër rekord rastesh të reja dhe viktimash në 24 orët e fundit nga Covid-19.

Sipas një raporti të publikuar sot nga qeveria ruse, 1,159 persona kanë humbur jetën dhe 40,096 persona janë infektuar në 24 orët e fundit.

Këto shifra marramendëse vijnë në një kohë, kur nga sot, atje do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-covid.

Autoritetet në kryeqytetin rus kanë deklaruar se restorantet, sallonet, dyqanet e veshjeve ose mobiljeve, objektet sportive, kurset e kërcimit dhe shërbime të tjera që konsiderohen “të panevojshme” do të mbyllen deri më 7 nëntor.

Vetëm farmacitë, supermarketet do të qëndrojnë të hapura në Moskë, sipas Sergei Sobyanin, kryebashkiaku i Moskës, i cili është deri tani qyteti më i prekur në vend. Shumica e bizneseve dhe shërbimeve publike në kryeqytetin rus do të mbyllen gjithashtu gjatë kësaj periudhe.

Sipas autoriteteve ruse, shkaku kryesor për rritjen e numrit të viktimave ditore dhe rasteve të reja

atje, është ngadalësimi i fushatës së vaksinimit.

Deri më tani, 49.1 milionë persona janë vaksinuar plotësisht, numër që praktikisht është rreth 1/3 e popullsisë./albeu.com/


Shtuar 28.10.2021 12:37