Conte dhe Inter ndahen zyrtarisht, Inzaghi ose Allegri për stolin

Historia përsëritet te Interi. Në 2010, Jose Mourinho iku menjëherë pasi fitoi Champions League-n ndërsa tani vetëm tri ditë pas ceremonisë zyrtare të titullit kampion, i fituar që në fillim të muajit maj, erdhi edhe divorci mes klubit dhe Antonio Contes.

Gjatë gjithë ditës përflitej për një largim të vendosur dhe në orët e pasdites erdhi edhe zyrtarizimi.

“Interi konfirmon se ka arritur një marrëveshje me trajnerin Antonio Conte, për ndërprerjen e parakohshme të kontratës mes palëve. Klubi dëshiron të falënderojë Antonion për punën e jashtëzakonshme që ka bërë dhe që kulmoi me titullin e 19 kampion. Antonio do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë tonë”, thuhet në komunikatën zyrtare të klubit zikaltër.

Mbyllja e kësaj aventure të Contes i faturohet vështirësive ekonomike që po kalon Suning, gjigandi kinez që zotëron aksionet dhe presidenti Zhang u kishte kërkuar lojtarëve dhe Contes shkurtimin me 20% të pagave dhe akoma më shumë, shitjen e një apo dy lojtarëve të rëndësishëm për të rregulluar bilancin.

Palët arritën edhe akordin për ta dëmshpërblyer Conten me 7.5 mln Euro, nga 13 mln Euro që kishte pagën dhe tani ka nisur beteja për trajnerin e ri që duket se do të jetë mes Simone Inzaghit, që ka marrë shumë kuota dhe Allegrit i cili po negocion edhe me Juventusin.


Shtuar 26.05.2021 22:45