Çmimi i naftës po arrin 200 lekë/litri, vjen reagimi i parë nga qeveria/ Do ngrihet Task-Forcë për frenimin e abuzimit

Pasojat e luftës që ka përfshirë Lindjen e Mesme, duket se po i ndjen vendi ynë, pasi çmimi i naftës po arrin shifrën e 200 lekëve për litër.

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i parë nga qeveria shqiptare, pasi pasditen e sotme Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bashkë me Ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaci, zhvilluan një takim me kompanitë kryesore të sektorit të hidrokarbureve dhe drejtuesit e Shoqatës së Hidrokarbureve.

Takimi vjen në kohën kur çmimi i naftës është rritur me 25 lekë për litër që nga koha kur nisi luftta në Lindjen e Mesme.

U raportua se do të analizohet ecuria e çmimeve në bursën Platts të Mesdheut, si referencë për gazoilin dhe benzinën, si dhe raporti ndërmjet çmimeve të importit, çmimeve të shitjes me shumicë dhe çmimeve të shitjes me pakicë në tregun vendas.

Ndërsa po ashtu bëhet me dije se palët ranë dakord për rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit mbi lëvizjen e çmimeve, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ndërmarrë këto masa për shfrenimin e rritjes së çmimit të naftës:

• ngritjen e një mekanizmi të përditshëm monitorimi të çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas;

• analizimin periodik të raportit mes çmimeve të bursës Platts, çmimeve të importit dhe çmimeve të shitjes në treg;

• koordinimin e vazhdueshëm me operatorët e tregut dhe Shoqatën e Hidrokarbureve për të garantuar transparencë dhe stabilitet në treg;

• informimin periodik të publikut mbi zhvillimet e çmimeve dhe faktorët që ndikojnë në to.

Nga ana tjetër, Ministria e Financave do të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes administratës tatimore dhe doganore, e cila do të ketë për detyrë:

• rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, në tregtimin me shumicë dhe me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve;

• monitorimin e marzheve të fitimit në gjithë zinxhirin e tregtimit të hidrokarbureve, nga momenti i importit deri te shitja me pakicë, për të garantuar që çdo ndryshim çmimi të reflektojë zhvillimet reale të tregut ndërkombëtar;

• garantimin që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe gjithashtu karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.


Shtuar 10.03.2026 17:24

Tags: ,