Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në bashkëbisedimin me furnizuesit e naftës, tha se është verifikuar se ka rezerva ligjore të detyrueshme për karburantet, si edhe kanale furnizimi.
Shqetësimi kryesor janë çmimet e karburanteve dhe produkteve, të cilat janë nën monitorim për të shmangur abuzimet.
“Shqetësimi kryesor i dytë lidhet me çmimet. Jemi të shqetësuar për rritjen e çmimeve në tregun e karburanteve, por s’jemi të përqendruar vetëm aty. Jemi duke monitoruar situatën e çmimeve në tërësi që të sigurohemi që nuk do të ketë abuzime nisur nga një situatë e paqartë në tregun e karburanteve”, tha ministrja.
Ajo shtoi se ndërsa në botë çmimet e karburanteve janë rritur deri në 40%, në Shqipëri rritja është 10-15%.
“Gjykojmë se nuk jemi ende në kushtet për të ringritur Bordin ndonëse hapësira ligjore ekziston. Nëse ka luhatje në marzhet e fitimit, do të futemi në atë regjim pasi qëllimi kryesor është mbrojtja e konsumatorit”, tha Ibrahimaj.
