Çmimet e apartamenteve në Bashkimin Europian nga viti 2010 deri në 3-mujorin e dytë të 2022, janë rritur 48%.
Për të njëjtën periudhë qiratë janë shtrenjtuar me 18%, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.
Ndryshe nga çfarë ka ndodhur në tregun e pasurive të paluajtshme në Europë, në Tiranë çmimet e apartamenteve janë rritur gati 40% vetëm vitin e fundit.
Sipas Indeksit Fischer të Çmimeve të Banesave, i llogaritur nga Banka e Shqipërisë, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë 6-mujorit I 2022 me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë 6-mujore e këtij indeksi që prej vitit 2013, kur Banka e Shqipërisë nisi llogaritjen e tij.
Në raport me periudhën bazë, që është viti 2013, indeksi i çmimeve të banesave është rritur me afërsisht 110%, ose më shumë sesa dy herë me mesataren e bashkimit Europian (që e mat nga viti 2010).
Edhe sipas vëzhgimi të Monitor për kryeqytetin rezulton se çmimet e apartamenteve janë rritur 40% më shumë se vjet. Në kryeqytet këtë vit janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi. Krahasuar me vjet në objektet e reja ku sapo kanë nisur ndërtimet çmimet janë më të larta. Në periferitë e Tiranës siç është “Kinostudio” apo “Astiri” çmimet e apartamenteve të reja kanë arritur 1,000 deri 1,100 euro për metër katror nga 900 deri 1,000 që ishin vjet çmimet në këto zona. Rritja është 10% më shumë.
Në zona të tjera rritja e çmimeve është më e lartë. Në zonën e Komunës së Parisit vjet çmimi maksimal për apartamentet e reja ishte 1,700 euro për metër katror. Këtë vit ka arritur 2,200 euro në ndërtimin e ri në hyrje të komunës së Parisit. Rritja e çmimit krahasuar me vjet është 29,4%. Ndërsa çmimet e apartamenteve në kullat “Book Building” që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit dhe “Rainboë Center” tek ish Blloku çmimet kanë arritur 5,000 euro për metër katror nga 3,500 deri 4,000 që u shitën vjet (rritja 25 deri 43%).
Aktorë të tregut ndonëse nuk e pohojnë zyrtarisht pranojnë që rritja e lartë e çmimeve në Shqipëri është e ndikuar, krahas rritjes së kostove të ndërtimit dhe pagave të fuqisë punëtore, edhe nga prania e flukseve të parasë informale. Ylli Sula Ceo i indeksit “Keydata” më herët pohoi për Monitor se edhe pritshmëritë e ndërtuesve për amnistinë fiskale. Sipas tij shumë individë, kryesisht emigrantë të ardhurat e disponueshme informale do të nxitojnë t’i legalizojnë në blerjen e apartamenteve.
“Çmimet e apartamenteve janë të larta, pasi ndërtuesit kanë pritshmëri për efektet që do të ketë amnistia fiskale. Ata që kanë para informale do të nxitojnë t’i investojnë.
Duke qenë se interesat e depozitave janë të ulëta, ndërsa në pasuri të paluajtshme normat e fitimit janë më të lartë, paratë që priten të formalizohen do të investohen për blerje të apartamenteve.
Drafti i amnistisë fiskale lejon deklarim vullnetar të një pasurie me vlerë monetare deri 2 mln euro, duke përfshirë edhe shtetas shqiptarë që jetojnë në emigracion”, pohon ai./monitor