Çmendet Gjergj Luca: Nesër më votoni mua, Zamir Manen dhe Shefqet Kastratin (VIDEO)

Biznesmeni Gjergj Luca ishte në një takim gjatë ditës së djeshme me punonjës të njërës prej reparteve të ish-Metalurgjisë në Elbasan duke i kërkuar atyre që të shkojnë të votojnë nesër për biznesmenët, të cilët sipas tij e bëjnë Shqipërinë.

Me plot emocion, Luca shprehet se shqiptarët duhet të shkojnë të votojnë nesër për të, për Zamir Manen apo Shefqet Kastratin.

“Nesër, shkoni votoni për Gjergj Lucën, shkoni votoni për Çet Kastratin, shkoni votoni për Zamir Manen. Shkoni votoni për ne, se ne e bëjmë Shqipërinë”, tha Luca teksa u shpreh se persona të ndryshëm nga PD i kanë bllokuar rrugën e biznesit të tij të peshkut në Elbasan dhe se nuk po e linin të punonte.

Në këtë mënyrë, Luca duket të jetë përfshirë tërësisht në fushatën elektorale në krah të Partisë Socialiste në vend, e cila sipas tij është parti e punës dhe mund të sjellë ndryshimin në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Luca lëshon edhe një mori fyerjesh për përfaqësuesit e PD-së së Elbasanit.

Kujtojmë se pak javë më parë ai u përlesh fizikisht me kandidatin për deputet të demokratëve Luçiano Boçi, ndërsa PD e ka akuzuar vazhdimisht se ka përvetësuar prona publike përmes lidhjeve të ngushta me pushtetin.


Shtuar 24.04.2021 17:20